Kryetari i PVD- së Shaip Kamberi ka thirrur sot për gjithëpërfshirje në Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi.
“Brenda dy javëve, dy palë zgjedhje.
Më 25 tetor u bashkuam rreth Koalicionit Shqiptar dhe fituam përfaqësim të fuqishëm parlamentar. Dje garuam me katër lista për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH).
Frymën e bashkimit që na dha rezultat në zgjedhjet parlamentare le ta shtrijmë edhe në Këshill.
Si kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, i ftoj të gjitha listat të bëhemi bashkë e ta ndajmë përgjegjësinë për drejtimin e KKSH.
Sipas numërimit preliminar, lista jonë me numër 3, me Enkel Rexhepin në krye, mori më së shumti vota. Ta respektojmë parimin e fituesit dhe peshën që qytetarët ia dhanë secilës listë.
Të katër listat duhet të marrin pjesë në vendimmarrje, përtej ndarjes në shumicë e opozitë.
Jemi të përkushtuar që në KKSH të mos ketë opozitë.
Andaj le të bëhemi bashkë ashtu siç ishim në procesin e zgjedhjeve parlamentare”.-përfundoi Kamberi.

