Kur Shqiprim Arifi erdhi nga Gjermania dhe u përfshi në jetën politike të Preshevës, në atë periudhë shumë prej nesh pamë një mundësi për ndryshim, një qasje tjetër dhe shpresën se Presheva mund të ecte përpara përmes projekteve konkrete dhe një vizioni të ri.
Siç thonë pleqtë tanë, kur ia do të mirën vendit, besimin e jep me nijet të mirë. Edhe unë në atë periudhë u përfshiva me bindjen se Presheva kishte nevojë për zhvillim, ide të reja dhe njerëz të gatshëm të punonin për të mirën e qytetarëve.
Gjatë asaj periudhe u realizuan projekte dhe iniciativa të mira, të cilat meritojnë të vlerësohen. Puna e bërë në interes të qytetarëve nuk duhet të mohohet vetëm pse me kalimin e kohës ndryshojnë raportet politike.Por politika, siç e kemi parë shumë herë në Preshevë, nuk është gjithmonë ajo që duket në fillim.
Me kalimin e kohës, sipas bindjes sime, ndikimi i oligarkëve dhe interesxhinjve filloi ta dëmtonte seriozisht atë rrugëtim. Kur interesat personale fillojnë të vendosen mbi interesin e përbashkët, atëherë dëmtohet jo vetëm një subjekt politik, por edhe besimi i qytetarëve.Një periudhë përgjegjësie dhe angazhimi.
Gjatë asaj kohe, unë pata përgjegjësinë të drejtoja Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë, një detyrë që e mora në një nga periudhat më të vështira, gjatë pandemisë COVID-19.Ishte një kohë kur qytetarët kishin nevojë për kujdes, ndërsa institucionet shëndetësore për organizim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.
Gjatë asaj periudhe punuam për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, punësimin e mjekëve dhe motrave medicinale në bashkësi lokale, renovimin e ambulancave në Rahovicë dhe Miratoc, përparimin e projektit të Ndihmës së Shpejtë, pajisjen e laboratorit, sigurimin e autoambulancave dhe modernizimin e ngrohtores së institucionit.
Ishte një periudhë në të cilën u përpoqëm të kontribuonim për qytetarët e Preshevës. Për mua, zhvillimi i vendit nuk matet vetëm me fjalë, por me punën që mbetet dhe me shërbimet që qytetarët i përjetojnë çdo ditë.
Megjithatë, erdhi një moment kur u shkarkova nga detyra. Ishte një proces ku, sipas asaj që kam përjetuar dhe bindjeve të mia, ndikim patën oligarkët dhe interesxhinjtë, së bashku me persona të tjerë brenda atij rrethi politik.
Por sot, pas gjithë këtyre viteve, nuk dua që ajo ngjarje të jetë e vetmja gjë me të cilën kujtohet ajo periudhë. Mbi të gjitha mbetet puna e bërë dhe ajo që arritëm të realizojmë për qytetarët.Kur interesi personal e dëmton të përbashkëtën.
Besoj se një nga problemet më të mëdha të politikës sonë ka qenë dhe vazhdon të jetë ndërhyrja e interesave personale në vendimmarrje.Partitë dhe projektet politike nuk prishen gjithmonë për shkak të ideve të ndryshme. Shpesh ato dëmtohen kur brenda tyre krijohen grupe që mendojnë më shumë për pushtetin, ndikimin dhe interesin e tyre sesa për qëllimin për të cilin janë krijuar.
Oligarkët që dikur qëndronin në të njëjtin krah, me kalimin e kohës filluan të përplaseshin mes vete. Në vend që të bashkoheshin për të mirën e Preshevës, secili synonte të fitonte më shumë pushtet e ndikim brenda partisë dhe në projektet e komunës. Kjo luftë për interesa personale, sipas bindjes sime, ishte ndër faktorët që e dëmtuan dhe e dobësuan atë projekt politik, duke lënë në hije interesin e qytetarëve.
Kjo është një pjesë e realitetit politik që nuk duhet fshehur. Por, njëkohësisht, nuk duhet të mohojmë as punën e mirë që është bërë gjatë asaj periudhe.Politika ndryshon, por puna mbetet. Rrugëtimi politik sjell sfida, përgjegjësi dhe përvoja të ndryshme. Njerëzit mund të kenë mendime të ndryshme, të ndjekin rrugë të tjera dhe të mos jenë gjithmonë në të njëjtën linjë. Kjo është pjesë e jetës dhe e politikës.
Sot, kur Shqiprim Arifi njofton tërheqjen nga jeta publike, e shoh këtë si një moment për të reflektuar mbi një kapitull të rëndësishëm të politikës së Preshevës, mirëpo aty ende të rinj që po vazhdojnë rrugën drejt ndryshimit, të cilët po e paguajne faturën e të kaluarës se APN-s, me shpresë që mos të bëjnë gabime të ngjajshme të oligarkeve.Nuk dua ta gjykoj atë kapitull vetëm përmes asaj që ka ndodhur në fund. Ka pasur projekte, iniciativa dhe njerëz që kanë punuar me bindjen se mund të bëhej më mirë.
Alternativa në fillim ka pasur njerëz të zotë dhe të mirë, që besuan në ndryshim.Dallimet e mëvonshme nuk duhet ta fshijnë atë që është bërë mirë, por as përvojat negative nuk duhet të harrohen. Nga të dyja duhet të mësojmë.
Presheva mbi të gjitha.
Për mua, Presheva ka qenë dhe mbetet më e rëndësishme se çdo individ, parti apo lider. Politikanët vijnë e shkojnë, periudhat politike ndryshojnë, por qytetarët mbeten këtu. Ata kanë nevojë për institucione funksionale, projekte konkrete, zhvillim ekonomik dhe një të ardhme që u jep shpresë brezave të rinj.
Prandaj, duhet të dimë t’i vlerësojmë gjërat e mira që janë bërë, të mësojmë nga gabimet dhe të mos lejojmë që interesat e oligarkëve, interesxhinjve apo individëve të caktuar të jenë më të rëndësishme se interesi i qytetarëve.Unë besoj se çdo njeri që angazhohet në politikë duhet ta ketë të qartë një gjë: pushteti është i përkohshëm, ndërsa vendi dhe qytetarët mbeten.
Sot, secili vazhdon rrugën e tij. Por mbi çdo dallim politik, mbi çdo raport personal dhe mbi çdo interes të momentit, duhet të qëndrojë një gjë: Presheva mbi të gjitha. Sepse Presheva është më e madhe se çdo parti, më e madhe se çdo lider dhe më e madhe se çdo interes personal.

