Shkruan : Altin Boriçi – Sociolog
Ka momente kur një shoqëri nuk mund të sillet sikur asgjë e rëndësishme nuk po ndodh. Ka momente kur indiferenca nuk është më thjesht një zgjedhje personale, por fillon të ketë pasoja për të gjithë. Unë mendoj se një moment i tillë është përpara nesh.
Zgjedhjet parlamentare nuk duhet t’i shohim vetëm si një proces ku votojmë për një listë dhe presim rezultatin. Për një komunitet si ai shqiptar në Serbi, përfaqësimi në parlament ka një rëndësi që shkon përtej një cikli zgjedhor. Një komunitet nuk mund të jetë i fortë nëse qytetarët e tij janë vetëm spektatorë.
Përfaqësimi nuk krijohet vetëm nga ata që kandidojnë. Ai krijohet edhe nga qytetarët që votojnë, që informohen, që mobilizohen dhe që janë të gatshëm të marrin pjesë. Nuk mund të kërkosh përfaqësim më të madh dhe njëkohësisht të jesh indiferent ndaj procesit që e përcakton atë përfaqësim.
Nuk mund të kërkosh që dikush të luftojë për interesat e komunitetit nëse vetë komuniteti nuk është i gatshëm të marrë pjesë. Dhe nuk mund të presësh rezultat të ndryshëm duke përsëritur të njëjtën sjellje. Ekzistojnë shqetësime serioze për shqiptarët në jug të Serbisë dhe ato duhet të trajtohen institucionalisht.
Por ekziston edhe një problem i yni që shpesh nuk kemi një qasje të mjaftueshme të përbashkët ndaj çështjeve që prekin komunitetin në tërësi.Një nga arsyet është se vazhdimisht i përziejmë nivelet. Një konflikt në komunë e bartim në nivel republikan apo një mosmarrëveshje me një individ e shndërrojmë në qëndrim ndaj një procesi të tërë.
Një pakënaqësi ndaj një individi na bën të harrojmë se çështja për të cilën po flitet mund të jetë më e madhe se ai person. Kjo është politikisht e papjekur.Duhet të tregojmë se kemi një komunitet që është në gjendje të mobilizohet për një objektiv të përbashkët, pa humbur aftësinë për të menduar në mënyrë kritike. Sepse një komunitet i fortë nuk është ai që nuk ka konflikte. Është ai që di t’i menaxhojë konfliktet pa e dëmtuar interesin e përbashkët. Kjo para së gjithash, është përgjegjësi e jona.

