Kuvendi i Republikës së Kosovës është formuar sot, pas zgjedhjes së nënkryetarit të 5-të nga komuniteti serb.
Ndërsa, nga dita e nesërme fjalën e ka presidentja, e cila do të vazhdoj procedurën e themelimit të qeverisë duke e mandatuar kandidatin nga partia e cila ka më shumë deputet e që është VV.
Mandatari, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, obligohet të paraqes përbërjen e Qeverisë dhe të kërkojë miratimin nga ana e Kuvendit. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve, apo së paku 61 vota.
Nëse Qeveria nuk miratohet në herën e parë, presidentja brenda dhjetë ditësh emëron një kandidat tjetër sipas së njëjtës procedurë. Dhe, nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidentja i shpall zgjedhjet e parakohshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre. Kushtetuta e përcakton që Kuvendi shpërndahet nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, nuk mund të formohet Qeveria.