Mon. Feb 9th, 2026

Në Bujanoc po realizohet projekti i Unionit të Bashkive Shqiptare

Kryetari i Komunës së Bujanocit- Arbër Pajaziti, ka njoftuar sot se po realizohet projekti nga Unioni Bashkive Shqiptare. Ai tha se Sot ka nisur zbatimi konkret i një projekti të rëndësishëm për të rinjtë e Bujanocit. Ajo që deri dje ishte ide dhe plan, sot është kthyer në punë reale në terren.

Në Shkollën e Mesme “Sezai Surroi” kanë filluar trajnimet e para, ku nxënësit po marrin njohuri praktike në fushën e informatikës dhe programimit. Ky projekt po realizohet me mbështetjen e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon dhe nën monitorimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Serbi, çka e bën edhe më serioz dhe të qëndrueshëm.

Qëllimi është i qartë: t’u japim të rinjve aftësi që u duhen sot dhe nesër. Tregu i punës po ndryshon dhe kërkon dije digjitale, logjikë, kreativitet dhe përgatitje praktike. Përmes këtij projekti, të rinjtë e Bujanocit po marrin mundësinë të përgatiten për këto sfida, pa pasur nevojë të largohen nga vendi i tyre.

Si Komunë, jemi të vendosur të qëndrojmë pranë të rinjve tanë. Duam që ata të mësojnë këtu, të zhvillohen këtu dhe ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Bujanoc. Investimi në dije dhe rini është investimi më i sigurt që mund të bëjmë për të ardhmen e komunës sonë.

Ky është vetëm fillimi. Puna do të vazhdojë, angazhimi ynë po ashtu-përfundoi Pajaziti.

Related Post