Sun. Oct 12th, 2025

Kryetari i Bujanocit takon Ministrin për të drejtat e njeriut në Serbi dhe përfaqësuesit e TK

Kryetari i komunës së Bujanocit – Arbër Pajaziti, ka njoftuar se sot ka zhvilluar takim me Ministrin për të drejtat e njeriut dhe pakicave dhe dialogun shoqëror-Demo Berisha dhe përfaqësuesit e trupit koordinues të qeverisë së Serbisë.

Ministrit Berisha i paraqita një dokument me 10 pika, të cilat i konsideroj elemente të domosdoshme për krijimin e mirëbesimit mes institucioneve lokale dhe organeve shtetërore. U pajtuam se dialogu mbetet mënyra e vetme për zgjidhjen e problemeve, duke përfshirë edhe dialogun shoqëror si instrument të rëndësishëm për forcimin e bashkëjetesës dhe besimit reciprok.

Nga ana ime theksova se është e pakuptimtë që kërkesat e shqiptarëve të shtyhen pafundësisht dhe të mos marrin zgjidhje konkrete. Po ashtu, vura në dukje se ndërrimi i pushteteve në Beograd nuk mund të shërbejë si alibi që çështjet tona të trajtohen gjithmonë nga e para.

Shpreha vullnetin tonë të qartë të sendërtuar në praktikë, përmes ndërtimit të një qeverisjeje të përbashkët dhe bashkëpunuese me partnerët lokalë nga komuniteti serb.

Është koha e fundit që ky hap duhet të reflektojë pozitivisht edhe në procesin e inkuadrimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, sepse në të kundërtën humbës do të jemi të gjithë.

Theksova gjithashtu se shqiptarët duhet të trajtohen vetëm si të barabartë, ashtu siç e garantojnë ligjet, Kushtetuta dhe të gjitha konventat ndërkombëtare në fuqi- shkroi në facebook Arbër Pajaziti: kryetar i komunës së Bujanocit

Related Post