Rreth parkingjeve dhe pengesave që po bëhen në qytet ka reaguar kryetari i APN-së Visar Memeti. Ky është postimi i tij i plotë:
PARKINGJET NË QYTET DUHET TË JENË PA PAGESË DERI NË PLOTËSIMIN E KUSHTEVE!
Në një qytet te vogël si Presheva, ku problem madhor është mbijetesa e qytetarëve tanë, pushteti lokal i komunës sonë ka gjetur mënyrën e “mbushjes së arkës” së Ndërmarrjes publike “Moravica”, përmes parkingjeve me pagesë.
Nëse vizioni i tyre për nxjerrjen nga kriza të NP Moravica kufizohet në detyrimin e qytetarëve tanë për të paguar edhe parkingjet, ua rikujtojmë dy kryetarëve të komunës sonë që Moravica ka një mori problemesh e sfidash, veçanërisht në menaxhimin e mbeturinave dhe furnizimi me ujë të pijshëm, ku sfidë tjetër është edhe ndërgjegjësimi mbi pagesat për grumbullimin e mbeturinave dhe të furnizimit me ujë, e “sfidë” për pagesën e mbeturinave mbetet edhe për kryetaren e komunës dhe drejtorin e Moravicës, duke e ditur që edhe njëri edhe tjetri kanë borxh enorm ndaj Moravicës, ndërsa vendimi mbi pagesën e parkingjeve në qytet është komplet hap fallcë i ketij pushteti.
Është hap fallco i këtij pushteti, pasi që nuk kanë as vizion e as strategji për zhvillimin e komunës, e me logjikën kinse ne po bëjmë diçka, duke e ditur se gati po bëhen një vit që kur këta janë në pushtet edhe rezultati i tyre është ZERO.
Moravica nuk do varet nga të hyrat e dy ose tri rrugeve të futura me pagesë në qytet, ku edhe këto dy-tre rrugët e caktuara i kanë vendosur me pagesë në baza diskriminuese e klienteliste, që do të thotë se rrugën kryesore të qytetit e kanë ndarë, gjysmën e kanë berë me pagesë, e gjysen tjetër jo. Kjo me të vetmen arsyeje, se kështu i konvenon kryetares së komunës, për shkak të votuesve të saj.
Të gjithë jemi pro vendosjes së rendit në qytet, pasi që parkingjet në rrugët e qytetit janë vendosur gjatë qeverisjes së mirë të Alternativës për Ndryshim, mirëpo jo në këtë mënyrë duke manipuluar qytetaret, kur e dimë se sfida me e madhe e Moravicës është ndërgjegjësimi i qytetarëve për shlyerjen e obligacimeve për mbeturinat dhe ujin, e më së shumti ndërgjegjësimi do i vlente kryetares sonë, për t’a paguar borxhin e mbeturinave.