Sat. Mar 14th, 2026

Kryetari Bujanocit kërkon lehtësira për Shqiptarët e Luginës

Arbër Pajaziti-kryetar i komunës së Bujanocit, ka shkruar sot rreth vendimit që hyn në fuqi nga nesër, që ka të bëjë për të huajt dhe veturave të huaja në Kosovë. Ai kërkoi lehtësira për Shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Ky është shkrimi i tij:

“Të ketë lehtësira për qytetarët e Luginës me rastin e zbatimit të ligjit për të huajt dhe automjetet në Kosovë

Përshëndesim çdo vendim të autoriteteve të Kosovës për të vendosur dhe zbatuar rregulla ligjore që janë të ngjashme me ato që aplikohen në shtetet ku sundon rendi dhe ligji. Në këtë kuptim, edhe Ligji për të Huajt dhe Ligji për Automjetet janë në përputhje me standardet dhe praktikat që zbatohen në shumë vende të tjera.

Ne pajtohemi plotësisht se deri më tani, në mungesë të një rregullimi të tillë ligjor, liria e lëvizjes në disa raste është keqpërdorur nga individë apo grupacione të caktuara, të cilat kanë shërbyer për mbajtjen gjallë të disa strukturave dhe sistemeve paralele në Kosovë. Prandaj, vendosja e rregullave të qarta ligjore është një hap i kuptueshëm dhe i domosdoshëm për funksionimin normal të shtetit dhe për ruajtjen e rendit institucional.

Megjithatë, kur është fjala për zbatimin e këtyre ligjeve, brenga jonë lidhet me qytetarët shqiptarë të Luginës, të cilët kanë lidhje të veçanta dhe të shumëanshme me Kosovën. Këto lidhje janë shpirtërore, familjare e farefisnore, miqësore, arsimore dhe në përgjithësi jetike për përditshmërinë e tyre. Një numër i madh qytetarësh nga Lugina jetojnë, punojnë apo studiojnë në Kosovë dhe lëvizja e tyre e shpeshtë është pjesë e natyrshme e jetës së tyre.

Për këtë arsye, kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të shqyrtojë mundësinë e gjetjes së një modeli lehtësues apo përjashtimesh të caktuara për qytetarët e Luginës, në mënyrë që zbatimi i këtyre ligjeve të mos i dëmtojë ata në praktikë.

Një trajtim i njëjtë dhe pa fleksibilitet për qytetarët e Luginës mund të ketë edhe pasoja indirekte, përfshirë ndikime në proceset e ndjeshme siç është pasivizimi i adresave në vendbanimet e tyre në vendlindje. Prandaj, është e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje e balancuar që ruan zbatimin e ligjit, por njëkohësisht merr parasysh realitetin specifik të shqiptarëve të Luginës.

Një model i tillë mund të jetë i ngjashëm me praktikat e mëhershme, si rasti i viteve të kaluara kur qytetarët e Luginës u përjashtuan nga pagesa e sigurimit të automjeteve gjatë hyrjes në Kosovë.

Ne jemi plotësisht të bindur se Prishtina zyrtare nuk ka për qëllim të dëmtojë në asnjë mënyrë bashkëkombasit tanë në Luginë. Përkundrazi, besojmë se ekziston vullneti për të gjetur zgjidhje që do të mundësojnë një zbatim të drejtë të ligjit, duke marrë parasysh edhe lidhjet e veçanta që shqiptarët e Luginës kanë me Kosovën.

Prandaj, kërkesa jonë është që të gjenden forma lehtësuese për qytetarët tanë, duke marrë parasysh realitetin dhe lidhjet e tyre të përditshme me Kosovën. Kjo do të ishte një zgjidhje e drejtë dhe në frymën e kujdesit institucional ndaj bashkëkombasve tanë.”- përfundoi Pajaziti.

Related Post