Kryeministri i Rep së Kosovës Albin Kurti nën shoqërimin e zv kryeministrit Besnik Bislimi takuan ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatik të shteteve të Quintit dhe shefin e zyrës së BE-së në Kosovë.
Në shkrimin e publikuar të qeverisë së Kosovës thuhet se kryeministri ka theksuar se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, me një kushtetutë të avancuar e cila ofron të drejta të garantuara dhe zgjeruara për komunitet joshumicë, dhe tejkalon standardet ndërkombëtare, e vlerësuar kështu edhe nga Juristët Eminentë të Këshillit të Evropës.
“Kryeministri theksoi se deri më tani tri instanca të rëndësishme të Këshillit të Evropës (Juristët Eminentë, Raportuesja Dora Bakoyannis dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës) kanë konfirmuar se Republika e Kosovës plotëson standardet dhe kriteret për të qenë anëtare e plotë e kësaj organizate. Kushtet dhe parakushtet për anëtarësim, u vendosën në raportin e raportueses Dora Bakoyannis të cilat Republika e Kosovës i plotëson, duke përfshirë këtu edhe vendimin prej vitesh në pritje për Manastirin e Deçanit. Për më tepër, si shenjë gatishmërie dhe hap para, tre krerët shtetëror i dërguan letër të garancisë raportueses Dora Bakoyannis për adresimin e çështjeve të pas anëtarësimit të identifikuara nga Këshilli i Evropës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.