Në seancën e 27 marsit të vitit 2025, një prokuror i ri i Prokurorisë së Specializuar në Hagë, u shfaq për herën e parë në seancë. Aty, planifikohej të dëshmonte dëshmitari i fundit në rastin e krerëve të UÇK-së.
Pavarësisht se ish-krerët e UÇK-së ishin në seancë me video-lidhje, me ta parë këtë prokuror në transmetim, Hashim Thaçi nuk u përmbajt. Seanca ishte e mbyllur, dhe për orë të tëra pati diskutime të ashpra.
Hashim Thaçi kishte alarmuar se personi që ishte ulur në anën e Prokurorisë së Hagës, kishte qenë punëtor në Qendrën e Paraburgimit ku mbahen ish-krerët e UÇK-së. I kishte ruajtur ata, kishte pasur qasje në biseda e dokumentacione konfidenciale. Madje, ishte i përfshirë në rastin e Prokurorisë për pengim të drejtësisë, ku Prokuroria kishte incizuar bisedat në Qendrën e Paraburgimit, raporton gazeta Nacionale.