Ridvan Sadiku, qytetar nga komuna e Preshevës, i shqetësuar nga problemet me trotuarin në qytet, ka bërë një kërkesë publike për kryetarin dhe zv kryetarin e komunës së Preshevës.
Ky është shkrimi i tij:
Letër e hapur Kryetares dhe zëvendës kryetarit të Komunës Preshevë
E nderuara Kryetare z.Ardita Sinani dhe zëvendës kryetar z. Ragmi Mustafa
Përmes kësaj letre, dua të shpreh shqetësimin tim, që besoj se është edhe i shumë qytetarëve të tjerë, e edhe i juaji, lidhur me gjendjen e mjerueshme të trotuarit, që shtrihet nga qendra e qytetit deri te shkolla fillore.
Kjo rrugë, e cila është një ndër më të frekuentuarat nga qytetarët – fëmijë, nxënës, të moshuar e nëna me fëmijë – prej vitesh nuk është përmirësuar në mënyrë të denjë dhe të sigurt.
Një pjesë e këtij trotuari është “rregulluar” me pllaka të dobëta, të cilat janë jo vetëm të thyera dhe të pa nivelizuara, por edhe të rrezikshme për kalimtarët (dimrit me borë). Ajo që e bën më shqetësuese është fakti që këto punime janë lënë përgjysmë prej më shumë se dy vitesh, duke e bërë ecjen në atë pjesë jo vetëm të vështirë, por edhe të rrezikshme.
Është shqetësuese që një zonë kaq e rëndësishme e qytetit, që duhet të jetë pasqyrë e përkujdesjes urbane, është lënë në harresë totale. Ndërkohë, ju, udhëheqësit lokalë mburreni me projekte në periferi (ndonëse ndoshta është në interes), pa e kuptuar se investimi në zemrën e qytetit është jetik dhe i domosdoshëm për imazhin e komunës dhe sigurinë e qytetarëve.
Nuk jam kundër zhvillimit të periferive, por nevojat themelore të qendrës, siç është infrastruktura e trotuareve, duhet të trajtohen me prioritet të lartë. Ajo që po ndodh me këtë pjesë të qytetit është jo vetëm neglizhencë, por një formë e papërgjegjësisë, që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës sonë.
Me këtë rast do të kërkoja që komuna të marrë masa urgjente për:
Riparimin dhe përfundimin e trotuarit në fjalë,
Përdorimin e materialeve cilësore dhe të qëndrueshme,
Sigurimin e një infrastrukture të sigurt për këmbësorët, në përputhje me standardet bashkëkohore.
Sepse, gjendja aktuale është e pajustifikueshme dhe çdo vonesë tjetër do ta konsideroja përçmim ndaj nevojave të qytetarëve.
Me respekt,
Ju kisha propozuar, juve, zonja Kryetare dhe z. zëvendëskryetar, që të gjeni kohë për ta ba një shëtitje trotoarit nga qendra e deri te shkolla fillore Ibrahim Kelmendi, për të pa se në çfarë gjendje është ky trotuar!