Mon. Oct 13th, 2025

Hysamedin Ahmedi kundër pagesës së veturave të parkuara në zonat rezidenciale

Si banor i Preshevës, jam thellësisht i shqetësuar për vendimin e fundit të Komunës për të kufizuar dhe bërë me pagesë parkimin në zonat rezidenciale. Ky vendim po ndikon drejtpërdrejt jetën e përditshme të familjes sime dhe të fqinjëve të mi, duke sjellë barrë financiare, ndërkohë që asnjëherë nuk jemi konsultuar si qytetarë.

Ky vendim u miratua pak para se bashkatdhetarët tanë nga diaspora të ktheheshin për pushime, dhe kjo duket hapur si një targetim i tyre për të mbledhur para në mënyrë jo të sinqertë. Kjo e bën vendimin edhe më të padrejtë dhe e dëmton besimin tonë si qytetarë te institucionet lokale.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale të Serbisë (Zakon o lokalnoj samoupravi, “Sl. glasnik RS” nr. 129/2007, 83/2014, 101/2016, 47/2018), neni 68 dhe 69, komuna është e detyruar të sigurojë pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt interesin tonë, si dhe të garantojë transparencë dhe informim publik përpara marrjes së vendimeve të tilla.

Edhe Ligji për Procedurat Administrative të Përgjithshme (Zakon o opštem upravnom postupku, “Sl. glasnik RS” 18/2016) kërkon që vendimet që ndikojnë mbi të drejtat dhe detyrimet e qytetarëve të jenë të arsyetuara dhe të paraprira nga konsultim ose informim publik.

Unë pyes: kush e propozoi këtë vendim dhe mbi çfarë analize ligjore e urbanistike u bazua? Pse nuk u mbajt asnjë konsultim publik, siç e kërkon ligji? Si do të përdoren të ardhurat nga këto tarifa dhe a do të kthehen ato në shërbime për komunitetin?

Si qytetar kam të drejtë të jem pjesë e procesit vendimmarrës dhe të informohem përpara se të merret një vendim që prek drejtpërdrejt jetën dhe pronën time. Kërkoj që Komuna e Preshevës të pezullojë zbatimin e këtij vendimi deri në zhvillimin e një procesi transparent dhe të hapur për publikun, në përputhje me ligjin.

Hysamedin Ahmedi

Inxhinieri i Elektroteknikës  i Elektronikës dhe IT-së

Related Post